Fushë dhe fushë, fushë prapë, fushë e qëndisur që bën edhe mjaltë

Fushë dhe fushë, fushë prapë, fushë e qëndisur që bën edhe mjaltë

S. Demolli

Mbase kështu do t’i këndonte Çajupi fushës së Maliqit e të Korçës, po ta shihte këtë vjeshtë të begatë, ku prodhimi bujqësor që po vjelin fermerët nuk ka të sosur. Vetëm në Bashkinë Maliq, një nga më të mëdhatë në vendin tonë me 75. mijë banorë, janë rreth 25 mijë ha tokë e punuar, prej së cilës 20 mijë ha tokë nën ujë. Fusha e Maliqit shtrihet në veri – lindje prej këmbëve të Malit të Thatë e arrin, deri në jug – perëndim në kodrat para Malit të Lenijes. 18 mijë ha prej saj, janë përfituar nga tharrja e ish – kënetës së Maliqit. Kjo fushë, është një fushë e vërtetë beteje për fermerët që e kanë në pronësi dhe sot aty realizohen rendimente, të cilat në grurë, patate, mollë etj. janë rekord në shkallë vendi dhe, Maliqi sipas nënkryetarit të bashkisë Vaskë Çinoku, është sot prodhuesi më i madh i tyre në Qarkun e Korçës.

Uji është jetë dhe padyshim, ndër hallkat më të rëndësishme të prodhimit bujqësor janë ujitja dhe kullimi i tokës bujqësore. Me vendimin e qeverisë nr. 1108 dt. 30. Dhjetor 2015, veprat ujore dhe një pjesë e shërbimeve të bordit të kullimit u kaluan bashkive dhe, sot Bashkia Maliq ka në administrim të gjitha kanalet e dyta të kullimit, ata të ujitjes bashkë me skemat e saj, 29 ujëmbledhësa, të cilët me punë dhe investime të vazhdueshme po vihen në funksion të plotë.

Me fondet e akorduara nga buxheti i shtetit për ujitjen e kullimin, në një vlerë prej 9 milion lekë , bën të ditur Nexhip Merolli drejtori i Agjencisë Ujitje – Kullim Bashkia Maliq, vetëm këtë periudhë prej fillimit të majit e deri në muajin gusht, u pastruan mbi 65 mijë metro linear kanale, duke lëvizur rreth 74 mijë metro kub dhera.

Për këtë nga ana e agjencisë veç mjeteve të saj, një mjet të organizatës së ujitjes të Pirgut, u morën për shfrytëzim edhe dy ekskavatorë të tjerë me qira.
Bashkia Maliq përbëhet nga 7 njësi administrative dhe për t’u ardhur në ndihmë fermerëve, gjatë kësaj kohe u punua jo vetëm për kullimin, i cili mundëson futjen e mjeteve të mekanikës, për të kryer në afat mbjelljen e kulturave bujqësore, por edhe për ujitjen, duke përmirësuar gjendjen e ujëmbledhësve, pastrimin e kanaleve ujitës, ndërtimin e pritave mbi kolektorë të kanaleve kullues, për të rritur gjatë verës sasinë e ujit nëpër kanale dhe për të mundësuar imfiltrimin e ujit nëpër ngastrat e mbjella me bimë të ndryshme.

Sipas të dhënave nga kjo agjenci, njësia administrative Pirg, e specializuar kryesisht në pemtari e prodhimin e perimeve të dimrit, ka burim ujëmbledhësin e Leminotit me kapacitet mbi 1 milion metro kub ujë, atë të Çaushlisë e Vërçunit me kapacitete mbi 100 mijë metro kub ujë. Pojani ka burim ujor Lumin Devoll dhe kolektorin e Shamollit, kurse njësia administrative Vreshtas ka burim ujor ujëmbledhësin e Podgories me kapacitet rreth 500 mijë metro kub ujë, faqet e brendëshme të të cilit këtë vit u veshën me gurë, si dhe u kryen mjaft punime të tjera për të rritur kapacitetin e tij.

Sezoni i ujitjes u shpall fushatë pune pa orar, thotë specialisti Astrit Zholi, dhe pas bilancit për sipërfaqen e ujitur deri në fund të korrikut, numuri i faturave të prera nga ana e fermerëve ishte mbi 2.000 dhe me një vlerë prej 1644190 lekë. Megjithatë përsa i përket mënyrës së faturimit dhe kontrollit të faturave gjatë procesit të ujitjes, nga ana e agjencisë mbetet ende mjaft për të bërë, për të shtuar të ardhurat.

Në qendër të vëmendjes në Bashkinë Maliq, ka qënë edhe sistemimi i rrugëve bujqësore, që lidhin blloqet dhe ngastrat e fermerëve, të cilat lehtësojnë lëvizjen e mjeteve për të kryer shërbimet gjatë vegjetacionit të bimëve të mbjella, vjeljen dhe transportin e prodhimit të tyre. Ditët e fundit u sigurua nga ana e Ministrisë së Bujqësisë për këtë qëllim një traktor i rëndë prej 145 kuaj fuqi dhe priten të vijnë në dispozicion të agjencisë ujitje – kullim edhe tre ekskavatorë të rinj. Këto dhe masa të tjera nga ana e qeverisë, siç janë edhe mbështetja konkrete e fermerëve, nëpërmjet skemave financiare për prodhimin bujqësor, e kanë bërë edhe më pjellore fushën e Maliqit dhe më të begatë jetën e banorëve të saj.

Opari dhe Lekasi, sa pranë Korçës dhe sa larg Voskopojës

Opari dhe Lekasi, sa pranë Korçës dhe sa larg Voskopojës

Reportazh nga S. Demolli

Ka vite që banorët e krahinës së Oparit në qarkun e Korçës, e kanë bërë traditë festën e tyre ç’do verë në fund të gushtit. Zanafilla është përkujtimi i çlirimit të zonës nga pushtimi nazi – fashist, po edhe data e ngjarje të tjera historike të luftrave shekullore për liri e pavarsi, që dëshmojnë se kjo Krahinë ka prodhuar më shumë trimëri, se sa ar dhe argjend. Por LANÇ. mbetet e pashlyer edhe në kujtesën e brezit të ri, sepse përpos lirisë që i solli vendit, si aleat përkrah Forcave Përparimtare që fituan Luftën e Dytë Botërore, e vuri atë në udhën e lidhjes me vendet e tjera të Evropës, të cilën e kishte trasuar prej shekujsh Skënderbeu me emrin e tij.

Por oparakët kanë të drejtë të krenohen edhe më shumë në këtë festë mbarëkrahinore e më gjerë, pasi krahina e tyre është një ndër zonat e para të çliruara në Shqipëri, e dyta qysh në verën e vitit 1942 pas asaj të Pezës. Në Opar u krijuan dy brigada partizane; Brigada e XV dhe ajo e XX – të. Këshilli i Qarkut të Korçës, Ansambli i Ushtrisë Popullore Shqiptare. Në LANÇ. morën pjesë drejt për drejt me armë në dorë 500 djem e vajza oparake, me komandantët e tyre të lavdishëm si Asllan Gurra, Agush Gjergjevica, Haxhi Çemerica, Shaban Zereci, Xume Protopapa, Koçi Brozdoveci, të cilët luftuan me heroizëm kundër pushtuesëve nazi – fashistë jo vetëm në Lavdar, Qafën e Martës, Qafën e Gjarpërit e atë të Beçit, në Mazrekë, Moglicë e Gur të Prerë, por në të gjithë vendin, duke i dhënë atij 100 dëshmorë.

Dhe s’kish si të ndodhë ndryshe në këto maja malesh, si ajo e Ostrovicës, Bofjes, Kurorës, Lenijes, Koshnicës, maleve të Gjergjevicës e Voskopojës, të cilat kanë qënë në shekuj simbole qëndrese, me banorët e tij të lindur me krrabë e pushkë në dorë e, me luftëtarë të tillë legjendarë që nga kryengritjet e mëdha antiosmane të viteve 1700 me Ibrahim Burrin ose Dusharin, Hysni Zelin, Abdylazim Hazizin e patriotët Shahin Matraku, Mehmet Dushari, Hasan Moglica, Pandeli Leço, Dhosi Havjari, Rakip e Seit Shukulli e deri tek Riza Kodheli pjesëmarrës në Luftën e I – rë e të II – të Botërore.

Për këtë në ceremoninë e jubileut të 74 – vjetorit të çlirimit të krahinës këtë vit, morën pjesë, bënë homazhe duke vendosur buqeta me lule e kurora pranë lapidarit të të rënëve në Lekas dhe përshëndetën, në mitingun e organizuar me këtë rast, Kryetari i Komitetit të Veteranëve të LANÇ. Korçë Tomor Hasanbella, Kryetari i Bashkisë Sotiraq Filo, deputeti i Korçës Ilir Pendavinji e të ftuar të tjerë. Kurse të rinjtë e të rejat e fshatit, kishin përgatitur vetë një koncert të pasur me këngë burimore, të cilin e shfaqën për të pranishmit në festë. Në Opar, sipas studiuesëve, e ka zanafillën dhe ende këndohet në dasma e gëzime kënga e “Ago Ymerit”, që daton prej 650 vjetësh.

Janë me kujtesë historike oparakët, si gjithë populli ynë dhe, kujtesa ka gjithmonë të drejtë. Të drejtë kanë edhe banorët e kësaj krahine – humbëtirë, që mund ta quajmë sot për shkak të një tranzicioni të ashpër pas ndrrimit të sistemit, i cili pothuajse i ka boshatisur fshatrat e saj. Kështu sipas burimeve nga gjendja civile, nga rreth 7.000 banorë që kishte në vitin 1992, tani Lekasin, Gjergjevicën, Marjanin, Denasin, Shkozanjin, Xerjen, Brozdovecin, Mazrekën, Tudasin, Gërmujasin nuk i popullojnë as 1.000 veta. As luftrat nuk sollën pasoja të tilla, thotë mësuesi në pension Belul Ruka. Se luftrat fillojnë e mbarojnë, kurse fukarallëku që ka pllakosur fshatin gjatë kësaj kohe nuk tundet. Jo se më parë kemi rojtur më mirë, po të mos i mjelësh bagëtinë, se nuk ke rrugë ta nxjerrësh bulmetin e produktet e tjera në treg, kjo do të thotë që votat tona i merr gjithmonë lumi.

Rruga… Një e tillë, në kuptimin e standarteve të kohës, nëpër krahinën e Oparit ka qënë deri në fillim të shekullit të XX – të: “Udha e Karvanit”, që lidhte Selanikun e Manastirin me portin e Durrësit, duke kaluar nga Korça, Voskopoja, Opari, Skrapari, Berati e Myzeqeja. Kurse sot Opari është pa rrjet rrugor dhe në fshatrat e tij mund të shkosh me çarter, ose parashutë, pasi në vijë ajrore nuk është më shumë se 15 km nga Korça në jug – perëndim të saj, ose nga toka vetëm me motoçikletë, automjete të tipit xhip dhe kafshë samari. Kjo për 13 km. rrugë po ti biesh për Lekas nga Shipska, ose rreth 20 km. po të kalosh nga Gjergjevica. Pasi që rruga deri në Voskopojë nuk mungon.

Këtë e dinë drejtuesit e Bashkisë Korçë, ku bën pjesë sot ish – Komuna e Lekasit pas ndarjes teritoriale – administrative të vendit në vitin 2015 dhe është njësi administrative e saj. Madje kryebashkiaku Sotiraq File, kur doli para një viti e u kërkoi votën banorëve të Oparit të Sipërm, u tha: “Mos u ankoni për rrugët, se i pashë me sytë e m’i kur ardha këtu…” dhe ua solli Korçën tek dera. Por edhe pse ka kaluar një vit rruga ala po përurohet, ashtu si ajo Lekas – Mazrekë dhe dy urat që lidhin fshatrat Denas dhe Gërmujas, ku prindërit për të dërguar fëmijët në shkollën 9 – vjeçare të Lekasit i kalojnë ata dimrit me kalë në dy lumenjtë e rrëmbyer malorë. Por si thotë populli, me të taksuar nuk prishet shtëpia, pa le Bashkia dhe, na gënjeve njëherë? Të lumtë, o File, se nuk të njihnim, por po të na gënjesh sëdyti, fajin e kemi vetë e do të flasim në atë gjuhën tonë: “purishte” që të na kuptosh…

Dhe banorët e Oparit presin shumë nga qeveria lokale, por edhe nga ajo e madhe, për të krijuar jo vetëm qytete, por dhe fshatra cilësisht të banueshëm për të gjithë, të mundshëm për veprimtarinë e gjithkujt, me qëllim shmangien e ndryshimeve demografike të kushtëzuara, siç ka ndodhur deri më sot. Kjo dhe për faktin sepse zona të tilla rurale, si Opari e Vithkuqi të Bashkisë Korçë, janë zona të rëndësishme të prodhimeve blegtorale, frutave,nënprodukteve të dyta të pyllit e, me vendodhjen, klimën, ekosistemin e pasur e të paprekur, pasurinë e paçmuar etno – kulturore etj. janë pjesë e Shqipërisë, këtij vendi të fundit të Evropës, siç thonë të huajt, që duhet vizituar e jetuar.

Këtë oparakët, ashtu si gjithë fshatarët shqiptarë e dinë mirë. Se rrallë ka nga ata që nuk e kanë provuar migracionin dhe emigrimin. E të punosh e jetosh në dhe’ të huaj, në mos syrin, mënyrën e shikimit do ta ndërrosh patjetër. Kjo duket tek ata që janë kthyer e vazhdojnë të kthehen në vendlindje… Tek vilat që ngrenë dhe bizneset që çelin. Vetëm dy – tre vitet e fundit janë ndërtuar 15 – 20 të tilla, në Marjan, Gjonbabas, Tudas e atje ku më skeptikët mendonin se këto fshatra do të zhdukeshin nga harta gjeografike. Na gjeti si kovaçi, që bën masha e kaci për të tjerët e, për vete s’ka, thotë ndërtuesi Edmond Meçe nga Brozdoveci. Ndërtime të tilla siç dimë të bëjmë ne oparakët me gurë dekorativë të gdhendur e rasa të nxjerra nga Ostrovica, do ta bëjnë krahinën tonë më të begatë e më të vizitueshme, thotë ai.

Tradita e ndërtimit në Opar është një pasuri tjetër e paçmuar dhe, bashkë me mjeshtërinë trasmetohet nga brezi në brez. Oparakët njihen si ndërtues të famshëm brenda dhe jashtë vendit, prej kohëve të lashta e deri më sot. Mjafton të përmendim një nga mrrekullitë e botës Taxh Mahallin e ndërtuar nga Mehmet Isaja prej Shkozanji, kompleksin arkitekturor të Litharicës së Ali Pashë Tepelenës, me arkitekt Petro Korçarin nga Marjani, harqet e gurtë të Urës së Gorricës Berat, ngritur nga usta Mahmuti i Lekasit e, deri tek firma “Opari Construction” në ndërtimin e shumëkatësheve në Filadelfia të Amerikës, me pronar Berti Lekasi e, sa e sa shumë të tjerë.

Po zemra e ekonomisë është blegtoria. Gjëja e gjallë të mban gjallë, thonë oparakët dhe bagëtia e shëndoshë tregon edhe ekonomi të shëndoshë edhe vend të pasur. Për këtë numuri i krerëve ka ardhur nga viti në vit, duke u shtuar, por vetëm dy baxho, si ato në Marjan e Mazrekë janë të pamjaftueshme për të përpunuar qumështin që prodhohet. Ja, Veli Llapanji në Tudas ka fermë me 30 krerë lopë, po qumështin nuk mund ta tregtojë dot. Kështu edhe Kajo Hasanllari, Nevruz Xhezari Shkozanj që kanë ferma të tilla etj. Këtu janë edhe rezervat më të mëdha për të shtuar të ardhurat, thotë Atip Mesuti ky blegtor vizionar nga Lekasi dhe tregon me dorë malet përreth luginës. Kullotat alpine të Ostrovicës, Bofjes, Kurorës, Malit të Gjergjevicës, atij të Dusharit etj. që kapin një sipërfaqe prej 12.000 ha, kanë një kapacitet kullosor për të mbarështuar rreth 30.000 krerë gjedhë e bagëti të imta.

Jo vetëm kaq, por flora e pasur e krahinës, me një numur pafund bimësh endemike e subendemike, 200 lloje prej të cilave janë me vlera të mëdha mjekësore, përbëjnë një pasuri të madhe botanike dhe ekonomike, thotë Eqerem Meçollari, ky Profesor Doktor nga Shkozanji – autor i Enciklopedisë Botërore të Patates, i cili si shkencëtar është i pranishëm vazhdimisht pranë fermerëve, me këshillat e asistencën e tij teknike nëpërmjet gazetës “Korça” e “Agrobiznes”. Dhe shumë nga familjet e migruara nga Opari në qytete të ndryshme, si Korçë, Tiranë, Durrës, Elbasan, vijnë e mbledhin bimë medicinale në vendlindje gjatë verës, duke u vetëpunësuar kështu si punëtorë sezonalë. Dhe çajin e Ostrovicës, salepin e Kurorës, murrizat e Gjergjevicës, sherbelën, apo rakinë e thanës të Mazrekës ta rrëmbejnë nga dora në treg.

Por relievi i Oparit i dominuar nga maja malesh, ku më e larta ajo e Ostrovicës arrin 2383 metro mbi nivelin e detit, që përthyhen nga pllaja, lugina të ngushta e të gjera që zbresin deri 600 – 700 metro mbi nivelin e detit, si në Denas, Xerje, Osojë është aq i pasur me përrenj e lumenj malorë, të cilët janë degë të Lumit Devoll dhe Lumit të Malësisë ose Kelizonit, si dhe mjaft liqene alpine. Duke shfrytëzuar kapacitetin hidrik të tyre, në Oparin e Sipërm kanë filluar e po ndërtohen tre hidrocentrale dhe kaskada e Devollit, me liqenin e madh në Oparin e Poshtëm, të cilët do të prodhojnë miliona kilowatorë energji elektrike. Pasuri e madhe ujore për zonën janë edhe 12 ujëmbledhës të ish – kooperativës socialiste, që shpëtuan nga furia e “terapisë së shokut” e shërbejnë për ujitje.

E përpos blegtorisë e frutikulturës, numuri i kufizuar i krahëve të punës dhe mundësia e vogël e përdorimit të mekanikës bujqësore, i ka shtyrë shumë nga banorët e kësaj zone të zhvillojnë bletarinë që bashkë me mjeshtërinë e ndërtimit është një nga traditat më të vjetra e të çmuara, po aq sa bleta. Vetëm vëllazëria Reshat, Fehmi e Luan Meçollari, që e morën dashurinë për profesionin e bletërritësit bashkë me “qumështin e bletës” nga babai i tyre Bezati në Shkozanj, kanë sot fermën e tyre me 300 zgjoje e, mjalti “Ostrovica” është aq i kërkuar në treg. Kurse numuri i zgjojeve në tërë Oparin është mbi dy mijë dhe kjo banore më e lashtë se njeriu në glob, po fiton ç’do ditë e më shumë terren në malet shqiptare, duke e ëmbëlsuar jetën e njeriut. Mjalti, pitet, frutat, lëngje e produkte të brumrave të trajtuara me mjaltë, janë oferta të veçanta karakteristike të Oparit që po kërkohen gjithë e më shumë, në menunë e lokaleve turistikë.

Kështu të huajt që do ta vizitojnë nesër krahinën nuk do të çuditen si koloneli i Divizionit francez 372, me mijrat e xixëllonjave që mbushnin luginën e Gjergjevicës, atë natë korriku të vitit 1918, kur ai marshonte me trupat e tij, për t’iu ngjitur kurrizit të “Krokodilit”, të ndeshej me trupat austriake tek Guri i Prerë. Por do të çuditen me bletët, me monumentet e tjera të natyrës të cilët nga 27 gjithsej në rrethin e Korçës, 23 për qind e tyre gjenden në këtë krahinë. Pa përmendur ato të kulturës, të cilat nuk mungojnë edhe në këtë zonë të thellë e, nuk mund të lë pa përmendur vetëm një prej tyre: Kishën e Shën Triadhës buzë Shkëmbit të Tudasit, ose vendlindjes të Princit Tudor, ndërtuar sipas studiuesëve prej shekullit të XII – të, restauruar nga Princesha e Muzakajve Kyrana në shekullin e XV – të e, që shpëtoi për fat nga shembja, prej ish – Drejtorit të Monumenteve të Kulturës skulptorit Vasillaq Kolevica.

Natyrisht, ata e kushdo që vjen në Opar s’ka si të mos çuditet me faktin, që pikërisht këtë drejtor që mbajti kishën në këmbë, e rëzuan nga karrikja se nuk ishte mili (tar) tant i partisë që fitoi Bashkinë. Siç do të bënin kryq, kur të shikonin se në shkollat e Oparit, sot nuk ka të emëruar asnjë mësues me arsim të lartë, por edhe drejtor i shkollës 9 – vjeçare të Lekasit është një teknik i mesëm, i cili dikur mezi ka mbaruar shkollën e mesme bujqësore të natës! “E di Partia!”, thonë prindërit e fëmijëve dhe presin që nga krahina e tyre të dalin talente, për t’u bërë njerëz të shquar si kompozitori i operetës së parë shqiptare me origjinë nga Opari, Artisti i Popullit Kristo Kono, fjala vjen. Apo Piktori I Popullit Guri Madhi, emrin e të cilit e mban edhe Galeria e Arteve në Korçë. Pse jo edhe shkrimtarë si oparakët Fatmir Gjata, Gaqo Veshi, Hysen Kobellari, aktorë si Marko Bitraku, profesorë si Aleko Veshi në mjekësi, Miçe Veshi në hidroenergjtikë, Bardhyl Taçi në aviacion e plot e se e sa oparakë të tjerë që kanë spikatur në të gjitha fushat e dallohen për progres.

E di Partia, thonë prindërit si qëmoti dhe, sot në Opar nuk gjen as berber e, oparakët shkojnë ti qethë Bashkia e tyre në Korçë bashkë me taksat. E di Partia dhe, nesër injoranca mund të shkojë dorë për dore me dhunën. Ja pse Opari dhe Lekasi janë aq pranë Korçës, dhe njëkohësisht aq larg Voskopojës, ndonëse e kanë tek pragu i derës. Sepse Voskopoja vërtet po rilind. Po rilind nga djersa dhe mundi i banorëve të saj. Por edhe nga ndihma e qeverisë, pse jo edhe e perëndisë.

Blendi Fevziu: Dy modelet e politikanëve “memecë”

Dy modelet e politikanëve “memecë”

 

34 deputetë të Parlamentit të Shqipërisë nuk kanë folur asnjëherë gjatë shtatë muajve të fundit të këtij sesioni. Kështu thoshte një studim i publikuar në mediat online, i cili i referohej harkut kohor 1 Janar – 31 Korrik 2016. Studimi i mirëdetajuar, sqaronte se këta persona kanë qenë po ashtu pak ose aspak aktivë në jetën e komisioneve parlamentare, gjatë po kësaj periudhe. Ajo që të bënte më përshtypje është pikërisht fakti që 34 deputetët “e heshtur” ndaheshin në dy grupe të dallueshëm dhe diametralisht të kundërt.

Një pjesë i takonte deputetëve të vjetër dhe me peshë në Parlamentin e Shqipërisë, ata që kanë qenë në atë sallë që sesionin e parë apo në vijim; ndërsa grupi i dytë i takonte deputetëve biznesmenë, atyre që s’kanë asnjë lidhje me politikën dhe as e kuptojnë atë. Që as dinë të flasin dhe as kanë luajtur ndonjë rol në zgjedhje, nëse nuk llogaritet këtu të qenit sponsor financiarë apo organizatorë bandash që vijnë vërdallë për të vjedhur vota. Nuk ka asnjë dyshim që të dy grupet nuk kanë asnjë lidhje me njëri- tjetrin dhe heshtja e tyre është për dy arsye krejt të ndryshme. I pari është një grup që për arsye të ndryshimeve kushtetuese dhe të bërjes politikës pis përmes përfshirjes në të të personave me precedentë penalë, banditëve, trafikantëve dhe spekulantëve, ndihet tejet i margjinalizuar.

Ky grup që ka hyrë në politikë në fillimet e pluralizmit me një mision, që besonte dhe beson ende se politika është një shërbim, nuk e gjen më veten në performancen e re politike. Mund të ketë shumë debate nëse këta persona kanë qenë politikanë të mirë apo jo; nëse kanë ditur ta çojnë vendin përpara aq shpejt sa duhet apo jo; nëse kanë mëkatet e tyre për situatën që ka ndodhur. Por me siguri, që këtë grup nuk mund ta akuzosh as për probleme me ligjin dhe as për përdorjen e politikës si mbrojtje personale. Grupi i dytë, që mund të quhen biznesmenët dhe personat me precedentë penalë është më problematiku.

Këta deputetë nuk kanë folur në këto 7 muaj, por një studim më i vëmendshëm mund të gjejë se nuk kanë foluar thuajse asnjëherë në këto 3 vjet. Ata nuk kanë as kontribut politik dhe as nisma ligjore. Janë njerëz që politikën po e përdorin për t’u pastruar apo për t’i shpëtuar ligjit me të cilin kanë llogari të hapura. Ky është një format i ri prurjesh politike, që e nxori dhunshëm jashtë loje të parin dhe që po kthehet në një problem për gjithë shoqërinë. Ndaj le të vlejë ky studim, për të parë, se kush realisht është një politikan dhe kush bëhet i tillë për ta përdorur atë. Që në zgjedhjet e ardhshme të mos ketë më deputetë që janë ulur në sallë, pa i njohur kush dhe pa foluar asnjëherë të vetme. Lekët nuk mjaftojnë gjithnjë për të blerë gjithçka, përfshirë statusin e deputetit apo të politikanit.

Artur Zheji: Tangoja e Ramës me Beogradin, në garë për pëlqimin e ndërkombëtarëve

Tangoja e Ramës me Beogradin, në garë për pëlqimin e ndërkombëtarëve

Kryeministri shqiptar është në një krizë të brendshme politike. Rilindja e tij, programi që e shoqëronte, objektivat dhe arritjet që synonte të mbërrinte janë tashmë një ngrehinë prej kartoni të lagur.

Kompromiset e tij në terren me pjesën laramane dhe gri e të nxirosur të shoqërisë shqiptare, janë të dukshme dhe të prekshme.

Konçesionet në fushën e mjekësisë dhe shëndetësisë së sëmurë shqiptare, e kanë diskretituar atë qartazi edhe ndër radhët e partisë së tij.

Ai tanimë është i pafuqishëm për t’u ringritur në një betejë morale, në emër të një të ashtuquajturi Morali Superior, të tijin personal dhe të stafit që drejton me dorë të hekurt.

Ai nuk ka se çfarë t’u thotë më shqiptarëve në Vitin e tretë të qeverisjes së tij të pasuksesshme.

Rama shpreson vetëm në 2 momente. Në “shpartallimin” e armiqve të tij politikë përmes Vettingut, çmontimit të sistemit të tanishëm të Drejtësisë dhe impiantimin aty, të shpurës së vet të gjyqtarëve dhe prokurorëve, me sfond politik dhe të komandueshëm.

Momenti i dytë, lidhet me të qënit i pëlqyer nga Ndërkombëtarët, si një komisar i paqes dhe dialogut në Ballkan.

Tanimë ai, është i vendosur të luajë Tangon dyshe me Vuçiç, i cili ka halle të ngjashme me Ramën, në Serbi.

Tangon e Armiqësisë Historike të shndërruar në një Miqësi të re, plot bujë dhe pompë, për t’u pëlqyer në Bruksel, si ‘dancing gentelmen’, i piruetave gjeopolitike. Brukseli dhe Washingtoni e duan paqen në Ballkan dhe kjo është normale.

Rama dhe këshilltarët e tij, kanë vendosur të luajnë me këtë dobësi të ndërkombëtarëve, që të fitojnë në Beograd, kreditet e humbura më së shumti në Shqipëri.

Padyshim që kjo është pjesë e “lojës” politike, madje një lojë e pëlqyeshme, përderisa nuk shkelen disa kufinj.

Njohja e Kosovës nga Vuçiç! Njohja e Krimeve të Luftës në Kosovë! Njohja e detyrimeve ekonomike dhe të dëmshpërblimeve në Kosovë! Zbulimi, denoncimi dhe bërja publike e të zhdukurve shqiptarë në varret masive që gjenden akoma në territorin e Serbisë.

Një e kaluar që lidhet me Krime kundër Njerëzimit, të cilat Ebrenjtë nuk i harrojnë prej 70 vitesh dhe që shqiptarët nuk mund t’i harrojnë dhe aq më tepër t’i falin, për 15 vjet.

Por kjo lidhet edhe me faktin se askush nuk e di, se ku ishte kryeministri i sotshëm shqiptar gjatë luftës së Kosovës. Ku ishte politikisht si zë dhe si mbështetës i asaj Luftë Historike Çlirimtare.

Tani me pikturat dhe Kurbanin, ai kërkon të rrokë faqet e para të gazetave serbe, që përkthehen në anglisht dhe rusisht menjëherë. Por, këto kredite që kërkon ai të fitojë në Beograd, nuk imponohen dot në Shqipëri!

Sepse shqiptarët nuk ushqehen, nuk shkollohen dhe nuk mjekohen dot me pikturat e kryeministrit të tyre dhe me faqet e mbushura me mllef, të librit të vet të vyer.

Shkencëtarët islamë, dijetarët që ndikuan në rilindjen europiane

download

Shkencëtarët mesjetarë islamë kanë bërë zbulime të mëdha dhe kanë luajtur një rol vendimtar në globalizimin e shkencës. Deri në fund të shekullit të 7-të, kalifët islamë kishin pushtuar një pjesë të madhe të Afrikës Veriore dhe nën drejtimin e Kalifit Ibn Abd al-Malik Marwan (646-705) arabishtja u bë gjuha e perandorisë. Duke qenë një gjuhë e saktë dhe e qartë, e bëri atë ideale për transmetimin e njohurive në mes të pjesëve të ndryshme të kësaj perandorie të madhe. Deri në fund të shekullit VIII dhe fillimit të shekullit IX, sundimtarët islamë po fitonin shumë të ardhura nga kjo perandori fitimprurëse dhe kështu që kishin para për të investuar në dije. Një nga kalifët, Abdullah al-Mamun (djali i të famshmit Haroun al Rashid-it) erdhi në pushtet në 813 AD – dhe i është atribuuar edhe fillimi i epokës së artë të shkencave islame. Ai ngriti në Bagdad Al-Hikma-në apo Dhomën e të Urtëve, ndoshta qendra më e madhe e të mësuarit në botë në atë kohë. Fillimisht një qendër për përkthimin e teksteve shkencore nga vende të ndryshme të botës, ajo shpejt tërhoqi disa nga mendjet më të mëdha në perandorinë e madhe islame, si dhe jashtë saj.

Matematika, fizika dhe astronomia

Në shekullin VIII matematikani islam, Abu Ja’far Muhammad ibn Musa Al-Khwarizmi, shkroi një libër Kitab al-jabr w’al muqabala dhe nga fjala arabeal-jabr, pra nga titulli i këtij libri, është marrë edhe fjala algjebër, që do të thotë “restaurim”. Koncepti i një ekuacion, i cili është zgjidhur në mënyrë që të gjejë vlerën e një të panjohure x, i atashohet përsëri këtij dijetari. Libri i tij “Bazat e Matematikës”, i para i këtij lloji, është përkthyer në gjuhën latine dhe ka qenë vepra burimore e matematicienëve evropianë. Arabët kanë qenë zbulues edhe të vijës thyesore, si edhe të presjes decimale (dhjetore). Matematicienti arab, Gijasuddin Gjemshid al-Kashi, në veprën e tij të njohur Ar-Risala al-Muhtijja (Rrethi) ka llogaritur marrëdhënien mesatare ndërmjet perimetrit të rrethit dhe diametrit të saj në thyesën decimale. Madhësinë 2d e ka dhënë me decimale 16-shifrore në këtë mënyrë.Me përdorimin e simboleve është bërë një hap i madh në matematikë. Matematicienët më të njohur arabë, të cilët janë shërbyer me simbole ishin: Al-Khwarizmi, Ebu Kamil, Kosta ibn Luka, Sinan ibn al-Fatah, Al Kalasadi, Behauddin al-Amil, Gijusudin Gjemshid, Al-Kijashi, Ibn al-Hejsem, Sabit ibn Kurra, Al-Kahvi, Al-Hajjani etj. Sabit ibn Kurra, Al-Hazin, Al-Hajjan, Ibn al-Hejsem dhe Al-Kahvi, me rrugën gjeometrike kanë zgjidhur barazimet e shkallës së tretë dhe kështu me zbatimin e gjeometrisë kanë zgjidhur problemet algjebrike. Në këtë mënyrë ata kanë vënë themelet e gjeometrisë analitike me të cilën matematika ka lulëzuar në shekujt e ardhshëm. Ata kanë njohur edhe rrënjët iracionale. Ibn Junus dhe Ibn Hamza kanë njohur edhe vlerën praktike të logaritmeve. Ata kanë përgatitur rrugën për gjetjen e tabelave logaritmike. Shumëzimin dhe pjesëtimin e kanë zëvendësuar me mbledhje dhe me zbritje. Teorinë e logaritmeve më vonë e kanë përpunuar më detalisht Xhon Nejper (John Napier 1550-1617 matematicien skocez) dhe Herih Brigg. Ibni al-Hejsem në kërkimet shkencore mbi dritën dhe caktimin e pikës reflektuese në pasqyrat sferike, cilindrike, konike, konkave dhe konvekse ka përdorur planimetrinë dhe stereometrinë. Ai po ashtu ka sqaruar si dhe në ç’mënyrë mund të vizatojmë dy drejtëza të marra sipas dëshirës nga dy pikat e rrethit të njohur deri te pika periferike e rrethit që me tangjenten e asaj pike të formojë dy kënde të barabarta. Shumica e shkencëtarëve arabë astronominë e kanë konsideruar më tepër si matematikë e bazuar në vëzhgime dhe në llogaritje. Al-Fergani i njohur me emrin në Evropë Alfraganus, përmes veprës së tij “Bazat e astronomisë”, në mënyrë të fuqishme ka ndikuar në rilindjen evropiane. Vepra e tij si dhe “Trigonometria e trupave sferikë” e Al-Bejrunit dhe Al-Buzgjanit janë studiuar në universitetin e Bolonjës në Itali. Xhabir ibn Efleh në veprën e tij “Astronomia” në bazë të vëzhgimeve dhe matjeve arriti të vërtetojë se Marsi pas Hënës dhe Venerës është trupi qiellor me afër Tokës. Koperniku gjatë përpunimit të lëvizjes së trupave qiellorë ka pasur në dorë veprën e Xhabir ibn Eflehit. Ebu Is-hak al-Betrugji, nxënës i Ibn Tufejlit me veprat e tij shkencoro-astronomike ka arritur të tundë teorinë e Ptolomejit dhe në këtë mënyrë i ka kontribuar Kopernikut që të rrëzojë sistemin gjeocentrik, i cili shekuj me radhë konsiderohej si i saktë. Astronomia e Al-Betrugjinit është përkthyer në gjuhën latine. Veprën e ka përkthyer Mishel Skot në 1217 në Toledo, ndërsa është shtypur në Bolonjë në 1220. Pa dyshim se Koperniku gjatë përpunimit të sistemit heliocentrik ka pasur në dorë sistemin e madh matematik të astronomisë të Ptolomejit dhe “Lëvizja e trupave qiellorë” të Al-Ferganit, si dhe punimet e shkencëtarëve arabë në lëmin e trigonometrisë së trupave sferikë. Duke u konsultuar me veprat e cekura, Koperniku arriti të ndryshojë fotografinë e botës dhe të vërtetojë konstatimet e mëparshme mbi sistemin heliocentrik. Ndër astronomët mjaft të njohur të shek. X e.r. është edhe Al-Kahvi. Ai prej observatoriumit të Bagdadit ka vëzhguar lëvizjen e trupave qiellorë. Ka shkruar disa vepra mjaft të rëndësishme nga kjo fushë, që janë përkthyer në shumë gjuhë evropiane. Shumica mendojnë se Njutoni ka shfrytëzuar veprat e tij gjatë themelimit të llogaritjes diferenciale dhe integrale. Al-Kindin shumë historianë e numërojnë në mesin e tetë astronomëve më të njohur të shekullit të mesëm. Ndërsa italiani Xherollamo Kardano (1501-1576, matematicien, mjek, astrolog dhe filozof i natyrës, i cili ka dhënë formulën për zgjidhjen e barazimit të shkallës së tretë) Al-Kindin e numëron në mesin e 12 personave gjenialë, të cilët janë paraqitur në botë, duke pasur parasysh faktin se Al-Kindi ka lënë disa vepra shumë të rëndësishme nga astronomia. Më të njohura ndër to janë: “Batica dhe Zbatica”, “Qielli Azurn”. Në veprën “Qielli Azurn”, e cila është përkthyer në gjuhën latine, Al-Kindi mendon se ngjyra e kaltër nuk është karakteristikë vetëm për qiellin, por edhe për drita të tjera, të cilat zënë fill prej grimcave të pluhurit dhe të avullit në atmosferë.

Fizika dhe mekanika

Ibn Sina në veprën e vet Esh-Shifa ka shqyrtuar problemin e shpejtësisë së tingullit (zërit) dhe dritës. Ai thotë se drita është më e shpejtë se tingulli. Nëse një trup godet trupin tjetër në një largësi të caktuar, së pari do të shihet goditja se sa do të dëgjohet tingulli, sepse tingullit në krahasim me dritën i nevojitet kohë dhe hapësirë nëpër të cilën do të përcillet. Vetëtima shihet, ndërsa bubullima dëgjohet më vonë, por nuk shihet. Nëse kjo ndodhë së bashku, në të njëjtën kohë, atëherë vetëtimën do ta shohim në të njëjtin moment, ndërsa bubullimën pak më vonë, sepse tingulli (zëri) për ndryshim nga drita i nevojitet kohë që të kalojë hapësirë të caktuar dhe të arrijë deri te ne. Këtë kuptim të Ibn Sinas e hedh poshtë Ibn al-Hajthem dhe në bazë të eksperimenteve vërteton se edhe drita ka shpejtësi të caktuar, edhe për përhapjen e saj nevojitet kohë. Retë, sipas Ibn Sinas, formohen me kondensimin e avullit të ujit në ajër, që pastaj në formë të lëngët apo të ngurtë bie në tokë në formë të shiut, borës, breshërit etj. Shumë historianë, Ibn al-Hajthemin e numërojnë si fizikanin më të mirë të të gjitha kohërave, veçanërisht në lëmin e optikës, Evropa e njeh me emrin Al-Hazin. Nga fusha e fizikës ka shkruar rreth 25 vepra. Ibn al-Hajthem me aplikimin e metodës induktive në shkencat natyrore ka qenë paraardhës i Bekonës dhe shkencëtarëve të tjerë evropianë. Ai shkruan disa vepra shumë të rëndësishme nga optika: Natyra e dritës, Shpejtësia e dritës, Reflektimi dhe thyerja e dritës.

 Kimia dhe Mjekësia

Xhabir ibn Hajjan konsiderohet një ndër kimistët më të mëdhenj arabë. Ai ka vënë themelet e kimisë shkencore. Para tij, kimia ka pasur kryesisht karakter të shkathtësisë, e bazuar në eksperiencë. Me shkathtësi dhe me eksperiencë para Xhabir ibn Hajjanit janë përfituar disa metale, ngjyra, pëlhura, qelqi, yndyrat, erërat e ndryshme dhe mjetet, të cilat pengojnë kalbjen. Duke u marrë me punë eksperimentale, Xhabir ibn Hajjan ka treguar rëndësinë e eksperimentit.

Ebu Bekr ar-Razi ishte mjek dhe kimist mjaft i njohur arab. Disa e numërojnë ndër kimistët, i cili ka vënë themelet e saj. Ka konstruktuar dhe ka përshkruar mbi 20 instrumente metalike dhe qelqi. Kimia ka lënë gjurmë edhe në mjekësinë e tij. Kështu shërimin e shumë sëmundjeve, ia ka përshkruar reaksioneve kimike, të cilat ndodhin në trup. Materiet kimike i ka ndarë në minerale, bimore, shtazore dhe të përfituara (derivatet). Ar-Razi ka përgatitur edhe acide. Acidin sulfurik, të cilin e ka quajtur vaj sulfurik, ka përfituar me nxehjen e sulfatit të gjelbër. Ai ka përgatitur edhe alkoolin me destilimin e materialeve të ndryshme dehëse dhe sheqerit të fermentuar. Alkoolin e ka përdorur si bar. Ndër kimistët e njohur është edhe Al-Megjrit. Ai ka shkruar një vepër mjaft të gjerë nga kimia, e cila është përkthyer në gjuhën latine. Shumë shkencëtarë janë marrë me kimi edhe pse nuk kanë qenë kimistë të njohur si p.sh. Davud al-Antaki, Ibn al-Bejtar, Ibn Mejmun, Ibn an-nefis, Az-Zehravi etj.

Abu Ali Sina, filozofi persian (njihet edhe si Ibn Sina në arabisht ose Avicenna në Evropë – është i njohur jo vetëm si filozof, por edhe si një nga mjekët më të mëdhenj – dhe një prej filozofëve më të mëdhenj – të moshave të mesme. Kanuni i Mjekësisë ishte tekst standard mjekësor në botën islame dhe në Evropë për mbi 500 vjet deri në shekullin XVII. E shkruar në arabisht fillimisht ajo u përkthye më pas në gjuhë të tjera, duke përfshirë latinisht, frëngjisht, gjermanisht dhe anglisht.

Rayhan Abu al-Biruni (973 -1048)

Ndërsa Avicenna është i njohur në Perëndim, ka një tjetër shkencëtar islamik, ndoshta më të madh në madhështinë e mendjes së tij, por sigurisht më pak të njohur në botën joislamike. Ky ishte persiani Abu Rayhan al-Biruni, një shkencëtar që bëri përparime të rëndësishme si filozof, matematicien dhe astronom, por gjithashtu konsiderohet edhe si një teolog, gjeograf, mjek farmacist dhe interesat e të cilëve varionte nga gjeologjisë dhe antropologji në historinë dhe lingusitics. Ai mund të përshkruhet si ndoshta da Vinçi i botës mesjetare islamike – por fatkeqësisht është pak i njohur në botën perëndimore sot. Ibn Sina disa kapituj të veprës së vet të madhe “Ash-Shifa”, ia ka kushtuar zoologjisë. Në to ka përshkruar lloje të ndryshme të kafshëve. Prej organizmave ujorë, ka përshkruar shumë lloje të peshqve dhe të bretkosave, si dhe organizma të tjerë, të cilët vazhdimisht jetojnë në ujë ose përkohësisht të ngjitur për bazë si shpuzorët, guacat etj. Po ashtu në këtë vepër ka bërë fjalë edhe për eshtrat, venat, arteriet, membranat, lidhjet dej-dej si dhe lëvizjet e dëshiruara dhe mekanike të kafshëve.

 Minerologjia dhe gjeologjia

Mineralet dhe mineralogjia si shkencë kanë tërhequr një numër të madh të shkencëtarëve arabë. Shkencëtarët arabë kanë pranuar teorinë greke sipas së cilës tërë bota është ndërtuar prej katër elementeve: ajrit, ujit, dheut dhe zjarrit. Me kombinim të shkathtë të këtyre elementeve mund të përfitohet çdo materie, të cilën e dëshirojmë, kanë menduar grekët. Ky mendim ka tërhequr shumë shkencëtarë arabë të kërkojnë “gurin e diturisë”, me të cilën metalet jofisnikë do të shndërroheshin në argjend dhe ari. Vend të merituar në mes të arabëve ijatrokimist (kimia mjekuese) kanë qenë Ibn al-Bejruni. Al-Bejruni dhe Davud al-Antaki, ndërsa në mes të mineralogëve arabë Al-Bejruni ka shkruar disa vepra shumë të rëndësishme nga lëmi i mineralogjisë. Shumica e numërojnë në gjeologët më të mëdhenj dhe konsiderojnë se është e pamundur të shkruhet nga kjo fushë, e mos të theksohet kontributi i tij në zhvillimin e kësaj disipline shkencore. Al-Bejruni si dhe Al-Hejsemi kanë caktuar peshën specifike të shumë metaleve, ndërsa Al-Kazvini detajisht ka folur mbi gurët e çmueshëm: diamantin, rubinin, zymrytin etj., pastaj mbi arin, argjendin, bronzin, hekurin, plumbin dhe përpunimin e tyre, mbi naftën, fosforin dhe minerale të tjera dhe lëndët e para në tokë. Shumica e shkencëtarëve arabë, përveç mineralogjisë kanë studiuar edhe gemologjinë, petrografinë, okeanografinë, litosferën dhe degët të tjera të gjeologjisë. Utarid ibn Muhamed al-Hasib është siç thotë Sarton, shkencëtari i parë në gjirin e arabëve, i cili ka shkruar veprën nga lëmi i gemologjisë me titull “El-Xhevahiru ve-l-ehxharu (Gurët e çmueshëm), e pas tij vend të merituar zënë edhe Al-Kindi, Al-Bejruni dhe At-Tifasi. Ndër shkencëtarët arabë, të cilët kanë studiuar mbështjellësin e fortë të tokës, vend të merituar zë edhe Ibn Sina. Ai ka shkruar disa vepra shumë të rëndësishme nga kjo fushë. Në to ka analizuar përbërjen, ndërtimin dhe zanafillën e litosferës. Ka treguar se nën ndikimin reciprok të forcave të brendshme dhe të jashtme në mbulesën e fortë të Tokës. Ndikimi i forcave të brendshme sipas tij shfaqet në lëvizjen e korës së tokës, aktivitetit të vullkaneve dhe tërmeteve. Në mesin e shkencëtarëve të njohur arabë, të cilët kanë studiuar relievin e Tokës, zanafillën e saj dhe zhvillimin është Al-Mes’udi. Ai si edhe Ibn Sina kanë treguar në forcat e brendshme dhe të jashtme, të cilat me ndikimin reciprok formojnë relievin e sipërfaqes së tokës. Al-Mes’udi ka folur mbi qarkullimin e ujit në natyrë, mbi rrjedhjen e ujërave dhe lundrimin e kripës në det.